Microsoft ka lajmëruar prej kohësh se ka ndërprerë mbështetjen për Internet Explorer, browser-in 27 vjeçar, dhe në datën 15 qershor ai do të ndalojë tërësisht së funksionuari.
Internet Explorer u lançua në vitin 1995 si një paketë add-on për Windows 95. Kulmin e tij ky browser e kishte në vitin 2003, ku përdorej nga rreth 95% e të gjithë përdoruesve të internetit. Megjithatë, Internet Explorer nuk arriti dot të ruante pozicionin e tij, dhe numri i përdoruesve ra në mënyrë të menjëhershme sapo konkurenca u rrit.
“E ardhmja e Internet Explorer në Windows 10 fshihet brenda Microsoft Edge,” tha Sean Lyndersay, menaxheri i programit Microsoft Edge. “Ky aplikacion jo vetëm që është shumë më i shpejtë, më i sigurtë, por ofron dhe një eksperiencë tepër bashkëkohore dhe adreson shqetësimet kryesore, pajtueshmërinë me website-t dhe aplikacionet e vjetra.”
Internet Explorer mode është i integruar në Microsoft Edge, duke lejuar përdoruesit të shikojnë website të vjetra të bazuara në IE direkt nga Edge.
“Me Microsoft Edge të aftë që të përmbushë këto dhe shumë përgjegjësi të tjera, aplikacioni Internet Explorer 11 do të ndalojë së mbështeturi dhe nuk do të funksionojë në versione të caktuara të Windows 10 në datën 15 qershor 2022” shtoi Lyndersay.