Startup-i i ri i makinave elektrike Lightyear prezantoi për herë të parë makinën elektrike të fuqizuar nga energjia e diellit gjatë kësaj jave në Hollandë. Makina e quajtur Lightyear 0 do të ofrojë një autonomi prej 540 km, 70 prej të cilave sigurohen nga energjia diellore.
Lightyear 0 është një produkt i 6 viteve kërkim dhe zhvillim nga ekipi i inxhinierëve. Përfshirja e paneleve diellore, e cila është tepër e rrallë në këtë industri, e bën këtë makinë të veçantë. Makina përfshin 5m2 sipërfaqje të mbuluar nga panelet diellore, të cilat lejojnë makinën të rikarikohet kur po lëviz ose kur është e parkuar në dritën e diellit. Një person i cili e përdoru makinën për vetëm 35km në ditë, mund të kalojë disa muaj pa patur nevojë për të karikuar makinën e tij.
“Në klima të ngjashme me Hollandën, periudha do të ishte 2 muaj, por në Spanjë ose Portugali kjo kohë mund të zgjatet deri në 7 muaj.” tregon Lightyear.
Lightyear 0 vjen me një bateri 60kWh me 4 motorë elektrikë duke krijuar një forcë prej 174 kuajfuqi. Lightyear pretendon se makina do të mund të arrijë shpejtësinë 100km/h në 10 sekonda dhe do të arrijë një shpejtësi maksimale prej 160km/h.
Kompania tregon se do të prodhojë vetëm 946 njësi, ku secila prej tyre do të shitet për €250,000. Ky çmim kaq i lartë mund ta bëjë makinën disi të vështirë për t’u shitur, duke patur parasysh se nuk ka specifikat e një makine sportive.