Një kompani sapo ka sjellë në jetë një lente kontakti që funksionon gjithashtu si një smartphone, në mënyrë të ngjashme me ato që kemi parë në filmat fantashkencë.
Të quajtura Mojo Lenses, kjo pajisje kthehet në një ekran gjigand sa fusha e pamjes së syrit të përdoruesit. Kjo lente përmban një ekran micro LED me një software që mund të kontrollohet nga lëvizja e syve. Kjo lente mbulon dhe pjesën e bardhë të syve.
“Me sa duket ekrani është aq pranë syrit, saqë syri shikon përreth ekranit. Ne dizenjojmë secilën lente që t’i përshtatet syrit të përdoruesit në mënyrë që ajo të jetë shumë e rehatshme për t’u mbajtur.” tha CTO dhe bashkë-themeluesi i Mojo Vision, Mike Wiemer.
Sipas Mojo Vision, software i Mojo Lens mund të kuptojë momentet kur ju po kryeni aktivitete të ndryshme në kohën e lirë.
“Kjo pajisje ju ofron informacione tepër të rëndësishme në mënyrë të qetë ndërkohë që ju jeni të përqëndruar në aktivitete të tjera që kërkojnë vëmendjen tuaj. Mojo Lens ju ndihmon që të ruani përqëndrimin duke ju informuar pa nevojën e asnjë ndërveprimi.”
Ekrani aktualisht është me një ngjyrë jeshile, por kompania po punon për të sjellë versione të ndryshme ngjyrash së shpejti.