Twitter do të duhet të paguajë $150 milionë për të zgjidhur një padi të lidhur me shkeljen e privatësisë së përdoruesve. Një ankesë e mëparshme tregon se Twitter përdori në mënyrë “mashtruese” adresat e email dhe numrat e telefonit të përdoruesve me qëllim që t’i shfaqte atyre reklama të personalizuara.
Për më tepër, përveç kësaj gjobe, Twitter duhet të pranojë dhe inspektime të ndryshme të programit të saj të privatësisë. Në dosjet ligjore pretendohet se Twitter keqinterpretoi politikat e saj tek përdoruesit nga viti 2013 deri në vitin 2019, duke shkelur kështu aktin e Federal Trade Commission (FTC) dhe një urdhër të mëparshëm nga marrëveshja në vitin 2011.
Kompania inkurajoi përdoruesit të shtonin një numër telefoni ose një adresë email-i për të aktivizuar shërbimet e sigurisë si two-factor authentication. Në të vërtetë Twitter e shfrytëzoi këtë informacion dhe për t’i shfaqur përdoruesve reklama të personalizuara në bazë të interesave të tyre.
Në 2019 kompania kërkoi falje për zhvillimin e kësaj praktike, duke treguar se i regjistroi “pa dashje” adresat e email-it dhe numrat e telefonit në sistemin e reklamave. FTC dënoi dhe Facebook për zhvillimin e një praktike të ngjashme në 2019 me një gjobë prej $5 miliardë, pra Twitter është disi me fat.