Mamaja e një vajze 10 vjeçare e cila ndërroi jetë vitin e kaluar ka vendosur të padisë TikTok dhe kompaninë mëmë të saj, ByteDance, me akuzat se algoritmi i kompanisë promovoi një sfidë të ashtuquajtur “Blackout Challenge” në feed-in e vajzës së saj.
Në akuzën e saj Tawainna Anderson nga Pensilvani, tha se vjaza e saj Nylah vdiq vitin e kaluar pasi ajo u asfiksua duke tentuar të rikrijonte “Blackout Challenge”, një sfidë që inkurajon njerëzit të mos marrin frymë deri sa të humbasin ndjenjat. Pasi Nylah provoi këtë sfidë, mamaja e saj nxitoi ta çonte në spitalin më të afërt, por pas disa ditësh ajo vdiq nga dëmtimet e shkaktuara.
“Blackout Challenge” është e pranishme prej shumë vitesh në platformë. Vdekja e Nylah vjen pasi një tjetër vajzë 10 vjeçare në Itali ndërroi jetë duke provuar këtë sfidë. Viktimë e kësaj sfide ka qenë dhe një djalë 12 vjeçar në Kolorado.
Përmes një email-i, një zëdhënës i TikTok tregoi se “sfida tepër shqetësuese” nuk ka qenë asnjëherë një trend në TikTok. Gjithashtu platforma reklamohet si një platformë për personat 12 vjeçar e më të rritur, por siç dihet, është tepër e lehtë të gënjesh për moshën.
Tawainna shprehet se tashmë ka ardhur koha që këtyre sfidave të rrezikshme t’i vijë fundi. “Diçka duhet të ndryshojë, diçka duhet të ndalojë pasi unë nuk dëshiroj që një tjetër prind të kalojë të gjithë dhimbjet që unë kam kaluar.”