Bashkimi Evropian ka si qëllim të nisë zbatimin e Digital Markets Act (DMA) gjatë pranverës së vitit 2023. Kjo gjë u bë e ditur nga zëvëndës presidentja Margrethe Vestager gjatë konferencës së International Competition Network. Më parë Vestager ka treguar se legjislacioni antitrust, i cili prezanton disa rregulla të reja për të frenuar fuqinë e kompanive të mëdha teknologjike, mund të implementohej që në tetor të këtij viti.
“DMA do të hyjë në fuqi gjatë pranverës së ardhshme dhe ne po përgatitemi për zbatimin e tij sapo njoftimet e para të vijnë.” tha Vestagen gjatë fjalimit të saj. Nëpërmjet kësaj deklarate kuptohet se BE do të jetë i gatshëm të ndërhyjë në mënyrë të menjëhershme sapo të konstatojë një shkelje të rregullave të reja nga kompanitë e mëdha si Meta, Apple, Facebook, Google, Microsoft dhe Amazon (dhe kompanitë e tjera me fitime vjetore më të mëdha se $82 miliardë ose që zotërojnë aplikacione me më tepër se 45 milionë përdorues).
Në rast shkeljesh, këto kompani do të përballen me gjoba deri në 10% të fitimeve vjetore të regjistruara gjatë vitit paraardhës, ose mund të rriten deri në 20% kur shkeljet përsëriten.
Kjo shtyrje e afatit të hyrjes në fuqi të DMA do të shfrytëzohet nga Komisioni Evropian për të krijuar strukturat e reja të posaçme, për të përgatitur sistemet IT dhe për të punësuar specialistët e nevojshëm.