Planet e Elon Musk për Twitter janë shumë të mëdha, por siç e dimë të gjithë ato mund të jenë tepër të paparashikuara. Tashmë ai ka vendosur të sjellë një produkt të ri misterioz për Twitter të quajtur “X”, dhe kjo gjë u bë e ditur gjatë prezantimit të tij si investitor.
Produkti “X” pritet të lançohet gjatë vitit 2023 dhe do të sjellë 8 milionë përdorues të rinj përgjatë vitit të parë. Musk projekton se deri në vitin 2028, në këtë produkt do të gjenden të paktën 104 milionë persona të abonuar.
Kjo është një ndër idetë e parashtruara nga Elon për të pesëfishuar fitimet e Twitter dhe për të katërfishuar numrin e përdoruesve, pavarësisht deklaratave të mërparshme se ai “nuk e vret shumë mendjen rreth ndryshimeve ekonomike pas blerjes së Twitter”.
Për momentin nuk ka asnjë detaj mbi këtë produkt, por CEO i Tesla është i gatshëm për shumë ndryshime të tjera në platformë, duke filluar që nga opsioni për editimin e tweets dhe ofrimi i një versioni pa reklama të Twitter.
Gjatë prezantimit u shfaq dhe plani për një “biznes pagesash”, i cili mendohet të gjenerojë rreth $15 milionë deri në 2023. Si Musk (bashkë-themelues i PayPal) dhe Jack Dorsey (CEO i Square) kanë një eksperiencë të mëparshme me pagesat dixhitale.