Të gjithë personat në Korenë e Veriut përballen me shumë kufizime dhe software mbikëqyrës çdo ditë, por me sa duket disa prej tyre kanë vendosur t’i sfidojnë këto kufizime.
Një raportim i ri tregon se qytetarët kanë nisur të bëjnë root pajisjet e tyre Android për të instaluar aplikacione jo të aprovuara nga shteti dhe të shikojnë përmbajtje nga media të paautorizuara. Në këtë raportim tregohet se u intervistuan dy nga këta persona që kanë bërë root smartphone-t Pyongyang 2423 dhe Pyongyang 2413, të cilët treguan se ndihmuan dhe miqtë e tyre në këtë proçes.
Ata shtuan se kjo praktikë nuk është tepër e shpërndarë në vend, pasi shumica e personave nuk dijnë të bëjnë root pajisjen e tyre dhe të marrin kontroll të plotë mbi të. Ata zotëronin njohuritë e nevojshme pasi njëri prej tyre punonte si një programues në një kompani nga Korea e Veriut me zyra në Kinë, dhe ishte në gjendje të kontrabandonte këtë software.
Shërbimi që cënon më tepër privatësinë është i ashtuquajturi Trace Viewer i cili regjistron foto dhe video në kohë të ndryshme, dhe përdoruesit e kanë të pamundur të fshijnë këto imazhe.
Në pajisjen më të re, Pyongyang 2425, Korea e Veriut ka arritur të bllokojë lidhjen në një PC përmes USB, pasi smartphone-i mund të shfaqet në kompjuter por nuk mund të aksesohen të dhënat e sistemit. Qeveria do të dënojë të gjithë personat që kapen me një program manipulues në smartphone-in e tyre me 3 muaj punë në kamp.