Sa herë që prezantohet gjenerata e re e smartphone-ve nga një kompani e caktuar, shumë njerëz janë të gatshëm të shpenzojnë shumë para për të siguruar një të tillë. Shpesh herë adhuruesit e teknologjisë shikohen si persona materialistë për këtë veprim, mirëpo studimi i ri vërteton të kundërtën.
Studiuesit nga Duke University sugjeruan se njerëzit që pëlqejnë të blejnë pajisjet më të fundit në treg e bëjnë një veprim të tillë sepse ato adhurojnë gjithçka rreth teknologjisë më të re (dhe kanë mundësinë ekonomike).
“Pavarësisht mendimit që njerëzit kanë rreth posedimit të pajisjeve teknologjike më të reja, duke cilësuar personat që bëjnë një blerje të tillë si materialistë, rezultatet tona tregojnë se dashuria për këto pajisje është e lidhur me rritjen personale.” tha Justin McManus, drejtues i këtij studimi.
Në këtë studim morën pjesë 926 pjesëmarrës, të cilëve iu kërkua të vlerësonin nëse i perceptonin disa blerje të ndryshme si materialiste. Në këtë listë përfshiheshin pajisje të ndryshme shtëpiake, teknologjike, libra për përmirësimin e vetes, këpucë vrapimi, xhinse, ushqim për kafshët, abonimi në një revistë të madhe kombëtare, një paketim me 6 birra apo një biletë për kinema.
Normalisht që objektet më të vlerësuara si materialiste ishin pajisjet teknologjike, të ndjekura nga paketimi me 6 birra dhe bileta e kinemasë. Megjithatë, në pjesën e dytë të studimit u zbulua se pjesëmarrësit kishin më tepër dëshirë të blinin një pajisje teknologjike pasi dëshironin të mësonin më tepër rreth tyre.
Po në këtë studim u zbulua se njerëzit materialistë e përdorin Facebook shumë më tepër se të tjerët, si një mënyrë e të ndjerit mirë me veten e tyre.