Në momentet para se Elon Musk të blinte Twitter, kanalet Slack të kompanisë ishin të tejmbushura me komentet e punonjësve. Ata nuk kishin marrë asnjë lajmërim prej disa ditësh dhe duke dëgjuar raportime të ndryshme se marrëveshja ishte gati të pranohej, po prisnin të dinin se çfarë do të ndodhte me kompaninë ku punonin.
Më pas erdhi lajmi zyrtar: bordi ka pranuar ofertën e Musk për ta bërë kompaninë private për $44 miliardë. Pas këtij lajmi, komentet në kanalet e Slack vijonin të mbeteshin negative, por sa më shumë punonjës të pyesësh, aq më shumë mendime të ndryshme merr.
Can someone just tell me if I’m rich or fired please
— Ned Miles (@nedmiles) April 25, 2022
Disa prej tyre besojnë se Twitter i privatizuar nga Elon Musk do të ketë një mundësi më të mirë për t’u përmirësuar se sa nën drejtimin e aksionerëve të shumtë. Ata pëlqejnë faktin se ai dëshiron të eleminojë bots-at e shumtë dhe të sjellë më tepër qartësi mbi mënyrën se si algoritmi funksionon.
Mirëpo shumë nga punonjësit e Twitter më parë merrnin pothuajse gjysmën e rrogës së tyre në aksione gjatë kohës kur kompania ishte publike. Pas mbledhjes së zhvilluar ditën e hënë, u bë e ditur se kjo gjë nuk do të funksionojë më, pasi kompania tashmë është private. Për këtë arsye, disa persona po mendojnë nëse është akoma e vlefshme ekonomikisht të punosh për Twitter.