Nëse ju kërkoni në Play Store, do të mund të gjeni shumë aplikacione të ndryshme të cilat kanë një përdorim specifik: atë të regjistrimit të telefonatave, gjë që mund t’ju ndihmojë nëse pajisja juaj nuk e ofron një opison të tillë.
Mirëpo Google ka njoftuar përmes një developer webinar se do të bëjë disa ndryshime të rëndësishme të politikave në Play Store, që do të bëjnë të mundur përjashtimin e këtyre aplikacioneve nga dyqani. Ndryshimet do të hyjnë në fuqi duke filluar nga data 11 maj, duke limituar zhvilluesit në mënyrën se si ato përdorin Accessibility API.
Google tregon se ky API nuk është dizenjuar për të kryer regjistrime të telefonatave, dhe kjo gjë do të shënojë fundin e aplikacioneve të palëve të treta që ofronin këtë shërbim. Arsyeja kryesore se përse Google po e bën një gjë të tillë është siguria e përdoruesve të Android.
Regjistrimi i telefonatave u bllokua automatikisht në Android 10, por zhvilluesit e shfrytëzuan API ekzistuese për të krijuar aplikacione që ofronin shërbimin e regjistrimit. Kjo gjë nuk do të jetë më e mundur pas një muaji kur ndryshimet e Google të hynë në fuqi.
Është e rëndësishme të theksojmë se të gjithë smartphone-t që e ofrojnë vetë këtë shërbim, pa ndihmën e një aplikacioni të palës së tretë, si smartphone-t Pixel apo disa prej smartphone-ve Samsung, do të vazhdojnë të ofrojnë regjistrimin e telefonatave dhe pas këtij ndryshimi.