NASA po planifikon të nisë testimin e sistemit tepër të veçantë për lançimin e objekteve të vogla në drejtim të orbitës së ulët të Tokës. Sistemi i quajtur SpinLaunch ka si qëllim ta bëjë lançimin e satelitëve më miqësor me mjedisin dhe të ulë kostot e karburantit të përdorur me 70%.
Gjatë muajve të fundit kompania ka kryer testime të vazhdueshme të sistemit në shkretëtirën e New Mexico, dhe besojmë se e mbani mend testimin e parë të suksesshëm në datën 22 tetor 2021, ku A-33 Suborbital Accelerator lançoi një predhë 3 metra të gjatë disa mijëra metra lart duke përdorur vetëm 20% të kapacitetit të saj.
Kjo teknologji ka tërhequr vëmendjen e NASA, e cila ka arritur një marrëveshje me SpinLaunch për të zhvilluar, integruar dhe lançuar një ngarkesë të agjencisë në drejtim të hapësirës. Ky testim pritet të zhvillohet brenda këtij viti, sipas deklaratës për shtyp. SpinLaunch i duhet gjithashtu të rikuperojë këtë ngarkesë duke përdorur analizat e kombinuara.
Forca gravitacionale e gjeneruar nga centrifuga brenda dhomës me vakum është shumë e madhe dhe shpejtësia maksimale pritet të arrijë deri në 8,000km/h. Për këtë arsye kjo pajisje mund të përdoret për lançimin e satelitëve apo ngarkesave të ndryshme me peshë deri në 200kg në drejtim të hapësirës dhe jo atë të astronautëve.