Amare, një gorillë në kopshtin zoologjik Lincoln Park duket se është “viktima e rradhës” e smartphone-ve. Javën e kaluar ai nuk arriti të vinte re një tjetër gorillë që iu afrua agresivisht (është normale midis meshkujve të rinj në moshë) për ta testuar se kush ishte më i forti.
Objekti që e shpërqëndroi këtë gorillë ishte një smartphone. Një vizitor në këtë kopsht zoologjik kishte afruar smartphone-in e tij në xhamin ndarës dhe po i tregonte atij foto dhe video të ndryshme.
“Amare u shfaq shumë i papërgatitur ndaj gorillës tjetër pasi ai ishte i shpërqëndruar. Fatmirësisht nuk pati asnjë dëmtim.” tha Stephen Ross, drejtori i kopshtit zoologjik. Mirëpo gjatë kohëve të fundit është vënë re që Amare tërhiqet shumë nga smartphone-t e vizitorëve.
Për të ulur disi ekspozimin e gorillës ndaj smartphone-ve, pjestarët e stafit kanë vendosur një litar për të mbajtur larg vizitorët nga xhami ndarës, në mënyrë që të mos afrojnë smartphone-in e tyre afër Amare.
“Me shumë mundësi ky është një fenomen përsëritës, sa më tepër interes shfaq Amare aq më shumë njerëzit duan të përfshihen.” tha Ross. Tashmë ai po përpiqet të luftojë ekspozimin ndaj smartphone-ve në dy fronte, nga njëra anë me fëmijët e tij dhe nga ana tjetër me kafshët që ka nën kujdesje në kopshtin zoologjik.