CEO i Tesla, Elon Musk tashmë zotëron 9.2% të Twitter sipas një listimi të ri të publikuar. Sipas këtij listimi tregohet se Musk bëri blerjen e aksioneve në datën 14 mars.
Prej shumë kohësh Musk ka qenë një përdorues tepër aktiv i Twitter, mirëpo gjatë kohëve të fundit ai nuk ishte shumë i kënaqur me politikat e platformës mbi fjalën e lirë, dhe këtë gjë e shprehu përmes një sondazhi të bërë në platformë. Shumica e votuesve ishin dakord me mendimin e Musk, duke mos besuar se Twitter nuk i përmbahet në mënyrë rigoroze parimit të fjalës së lirë.
The consequences of this poll will be important. Please vote carefully.
— Elon Musk (@elonmusk) March 25, 2022
Këto komente u bënë gjatë datës 25 mars, pra ato erdhën pas vendimit për blerjen e aksioneve nga CEO i Tesla. CNBC tregon se vlera e aksioneve të blera nga Musk shkon në $2.89 miliardë.
Më parë komentet e bëra në Twitter nga Elon e kanë futur atë në telashe. Në 2018 ai publikoi një tweet ku tregonte se do të siguronte fondet për të shndërruar Tesla-n në një kompani private nëse çmimi i aksioneve arrinte $420.
Më pas u vërtetua se ai nuk kishte siguruar dot këto fonde, dhe ai u detyrua nga Securities and Exchange Commission që çdo tweet i tij në lidhje me kompaninë të aprovohej nga avokatët e Tesla.