Samsung mund të surprizojë të gjithë fansat e saj gjatë eventit të ardhshëm Unpacked duke prezantuar 3 pajisje të ndryshme të palosshme.
Disa raportime të reja tregojnë se kompania po zhvillon 3 pajisje të palosshme me emrat e koduar B4, Q4 dhe N4. Ne mendojmë se emri i koduar B4 përfaqëson Galaxy Z Flip 4, pasi Z Flip 3 njihej më parë si “Bloom”. Nga ana tjetër Q4 mund të përfaqësojë Galaxy Z Fold 4, pasi më parë emri i koduar Q3 qëndronte për Z Fold 3. E vetmja gjë që nuk dihet ende është pajisja me emrin e koduar N4.
Lajmet mbi këtë pajisje nuk janë shumë të qarta në këtë pikë, por analistët besojnë se kjo pajise do të jetë një tjetër shtesë në linjën e smartphone-ve të palosshëm të Samsung. Kohët e fundit ne kemi parë se kompania ka patentuar shumë ide të ndryshme në lidhje me ekranet e palosshme, si “Rollable Flex” ose “Flex Note”, dhe nuk është surprizë nëse ndonjëra prej këtyre teknologjive të përfshihet në pajisjen që do të prezantohet gjatë eventit Unpacked.
Nuk ka ende asnjë lajmërim zyrtar nga Samsung në lidhje me këtë produkt, prandaj do të na duhet të presim deri sa të kemi më tepër informacione.