Pak orë më parë Apple organizoi një event me titullin Peek Performance, ku zbuluan disa teknologji të reja, dhe një ndër më interesantët ishte iPhone i ri SE. Ky është një upgrade më tepër i pjesës së brendshme të këtij smartphone-i se sa një upgrade i përgjithshëm, pasi dizajni i pajisjes është i njejtë me atë të gjeneratës së kaluar.
iPhone SE 2022 ruan formatin e vjetër me ekran 4.7 inç dhe me bezels aq të gjëra saqë është i pranishëm dhe Home Button me shërbimin tepër të besueshëm dhe të shpejtë Touch ID.
Me kalimin e kohës ne po shohim që smartphone-t po adoptojnë të paktën 2 kamera në pjesën e pasme, dhe duket disi e çuditshme kur shikojmë se iPhone SE 2022 ka vetëm një kamera 12MP. Megjithatë Apple kompenson praninë e vetëm një kamere me përmirësimet e software-it në gjenerimin e kamerave. Dy nga shërbimet që gjenden në iPhone 13, Deep Fusion dhe HDR 4 do të vijnë dhe në këtë pajisje.
Përmirësimet kryesore të iPhone SE 2022 janë prania e rrjetit 5G së bashku me proçesorin më të ri A15 Bionic, i cili besohet të sjellë përmirësim dhe në jetëgjatësinë e baterisë, një ndër pikat e dobëta dhe në gjeneratat e mëparshme të këtyre pajisjeve. Apple konfirmon rezistencën ndaj ujit dhe pluhurave me një vlerësim IP67 dhe tregon se xhamat e përdorur janë më të fortët të përdorur në smartphone. Pajisja mund të karikohet dhe nëpërmjet karikueseve wireless.
Porositë do të nisin nga dita e premte, ndërkohë që dorëzimi i tyre do të fillojë nga data 18 mars.
Dhe pse pritej që gjatë këtij eventi të prezantohej dhe versioni i ri i iOS 15.4, do të na duhet të presim deri javën tjetër për të update-uar pajisjet tona.