Ekspertët e energjisë bërthamore kanë shuar frikën se centrali më i madh bërthamor në Evropë mund të shndërrohet në një tjetër Çernobil.
Këto shqetësime kanë ardhur pasi ky central u sulmua dhe është nën kontrollin e ushtrisë ruse, të cilin presidenti ukrainas Zelensky e cilësoi si një “terrorizëm nuklear”, ndërkohë që Ministri i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba publikoi një tweet ku shkruante: ”Nëse centrali shpërthen, do të jetë 10 herë më i madh se Çernobili.”
Sipas ekspertëve kjo ngjarje është shumë pak e mundshme, pasi ka shumë ndryshime në dizajnin e centraleve në Zaporizhzhia dhe Çernobil. 6 reaktorët e energjisë bërthamore janë të ndryshëm nga ato të përdorur në Çernobil. Gjithashtu një tjetër ndryshim qëndron në rrethimin me çelik të trashë të forcuar me beton që mund të përballojnë shpërthime ekstreme të krahasueshme me përplasjen e një avioni.
Një nga ekspertët tregoi se në rastin më të keq fati i Zaporizhzhia do të ishte i njejtë me atë të Fukushimas në Japoni në vitin 2011, i cili nuk shkaktoi fatalitete në mënyrë direkte. “Shqetësimi kryesor nuk është një shpërthim katastrofik siç ndodhi në Çernobil, por mosfunksionimi i sistemit ftohës që është në punë dhe pasi reaktori fiket.” tha David Fletcher, profesor në University of Sydney. “Ishte ky problemi që shkaktoi aksidentin në Fukushima.”