Një ndër shërbimet më të reja të prezantuara me ardhjen e sistemit të ri operativ, Windows 11, është mundësia e hapjes së aplikacioneve për Android. Mirëpo për të hapur këto aplikacione kompjuteri juaj duhet të përmbushë këto kërkesa minimale të listuara nga Microsoft:
RAM: Minimumi 8GB, të rekomanduara 16GB
Internal Storage: SSD
Proçesor: Intel Core i3 8th Gen (minimum) ose më të fuqishëm
AMD Ryzen 3000 (minimum) ose më të fuqishëm
Qualcomm Snapdragon 8c (minimum) ose më të fuqishëm
Arkitektura e proçesorit: x64 ose ARM64
Virtual Machine Platform: është opsionale por e rekomanduar
Falë “Windows Subsystem for Android”, Windows 11 mund të hapë aplikacionet Android pa patur nevojën për të instaluar software të palës së tretë. Microsoft ka bashkëpunuar me Amazon për të ofruar Amazon Appstore brenda Microsoft Store në Windows 11. Në të gjenden më tepër se 1,000 aplikacione të cilat mund të instalohen vetëm nëpërmjet disa klikimeve.
Nëse ju shikoni me kujdes kërkesat minimale, ato nuk janë shumë të vështira për t’u arritur nëse ju keni blerë një laptop të ri gjatë viteve të fundit. Megjithatë duhet të përmendim se ato janë disi më të larta se kërkesat minimale që nevojiten për të instaluar Windows 11.
Një tjetër gjë e rëndësishme që mund të vëmë re është se proçesorët e Intel që nga viti 2017 janë të mbështetur, ndërkohë që proçesorët e AMD duhet të jenë prodhuar nga viti 2019 e më pas për të përfituar këtë shërbim.