Ajri rreth nesh është plot me sinjale radiofrekuence nga rrjetet Wi-Fi, Bluetooth dhe 5G. Këto standarde janë të shkëlqyera për transmetimin e të dhënave, por gjithashtu përfaqësojnë një burim energjie të pashfrytëzuar.
Studiuesit kanë zhvilluar një teknologji të re që arrin të kapë valët elektromagnetike në ambient për t’i përdorur ato për të fuqizuar pajisjet e vogla elektronike. Risia kryesore është një teknologji e re që mund të konvertojë sinjale radiofrekuence me fuqi jashtëzakonisht të ulët prej më pak se -20 dBm në një tension të përdorshëm të rrymës.
“Rezultatet tona tregojnë se teknologjia SR është e lehtë për t’u integruar dhe e shkallëzueshme, duke lehtësuar zhvillimin e grupeve SR në shkallë të gjerë për aplikime të ndryshme RF dhe komunikimi me fuqi të ulët,” tha drejtuesi i këtij projekti, profesor Yang Hyunsoo.
Për të arritur këtë zbulim, kërkuesit optimizuan pajisjet konvertuese në dy konfigurime: një konvertues i vetëm funksional midis -62 dBm dhe -20 dBm dhe një grup prej 10 konvertuesve në seri me efikasitet konvertimi 7,8%. Integrimi i grupit në një modul i lejoi ata të fuqizonin një sensor për matjen e temperaturës me vetëm -27 dBm fuqi hyrëse.
Rezultatet, të arritura në bashkëpunim me studiuesit në Universitetin Tohoku në Japoni dhe Universitetin e Mesinës në Itali, u botuan në revistën Nature Electronics më 24 korrik.
Studiuesit synojnë gjithashtu të bashkëpunojnë me industrinë dhe partnerët akademikë për të avancuar zhvillimin e sistemeve inteligjente të vetë-qëndrueshme me konvertues në çip. Ata shpresojnë se kjo do të lejonte shfaqjen e teknologjive kompakte për karikimin me valë dhe sistemet e zbulimit të sinjalit të bazuara në marrjen e sinjaleve të radiofrekuencës së ambientit.