Studiuesit në Universitetin Teknologjik Nanyang (NTU) në Singapor kanë shpikur një bateri super të hollë që mund të fuqizojë lentet e kontaktit inteligjente dhe të karikohet nga lotët. Lentet e kontaktit janë përdorur prej kohësh për korrigjimin e shikimit. Me përparimet teknologjike, kompanitë kanë punuar për të bërë versione më inteligjente, duke u lidhur me pajisje si telefonat inteligjentë dhe duke shfaqur informacion afër syve të përdoruesit. Aplikime të tilla kërkojnë që lentet të kenë një bateri të brendshme.
Si funksionon bateria?
Bateria përbëhet nga materiale biologjike dhe ka një shtresë me bazë glukoze. Kjo shtresë mund të reagojë me jonet e natriumit dhe klorurit në ujin brenda baterisë, duke shërbyer si qark për gjenerimin e energjisë elektrike. Meqenëse jonet e natriumit dhe klorurit gjenden gjithashtu në lot, lentet praktikisht mund të karikoheshin gjatë kohës që përdoruesit i mbajnë ato në sy.
Sa energji mund të gjenerojë bateria?
Meqenëse bateria është më e hollë se një milimetër, pyetja më e madhe është se sa energji mund të paketojë dhe sa kohë mund të përdoret. Për të testuar shpikjen e tyre, studiuesit punuan me një model të simuluar të syve.
Eksperimentet e tyre zbuluan se bateria mund të prodhojë një rrymë prej 45 mikroamperësh dhe një fuqi maksimale prej 201 mikrovat. Kjo sasi energjie do të mjaftojë për funksionimin e pajisjes për pjesën më të madhe të ditës. Këtu ndihmon edhe karikimi me lot. Kur produkti u mbajt në një tretësirë të simuluar, jetëgjatësia e baterisë mund të zgjatet me një orë shtesë për çdo dymbëdhjetë orë përdorim. Kur nuk përdoret, bateria mund të mbahet në një solucion të kripur të koncentruar që përmban sasi të larta të joneve të glukozës, kaliumit dhe natriumit për karikim. Ekipi zbuloi se bateria mund t’i nënshtrohet 200 cikleve të ngarkimit-shkarkimit. “Megjithëse transmetimi i energjisë pa tel dhe superkondensatorët ofrojnë fuqi të lartë, integrimi i tyre paraqet një sfidë të rëndësishme për shkak të hapësirës së kufizuar në lente.” tha Li Zongkang, një student Ph.D në NTU i cili u përfshi në këtë studim.