Numri i satelitëve në orbitën e Tokës janë rritur shumë gjatë kohëve të fundit, mirëpo Rusia tregon se disa nga këto objekte mund të shndërrohen në shënjestra ushtarake nëse SHBA dhe aleatët e saj nuk ndryshojnë vendimet e tyre.
Ky kërcënim nuk i shkon në mënyrë të drejtpërdrejtë kompanisë së zotëruar nga Elon Musk, SpaceX, mirëpo zyrtarët rusë mund të jenë duke iu referuar shërbimit Starlink përmes kësaj deklarate. Starlink ka ofruar internet në Ukrainë gjatë pushtimit të Rusisë, duke prishur kështu planet e ushtrisë ruse për të ndërprerë komunikimin në zona të ndryshme të këtij shteti.
Në fillim të pushtimit, SpaceX premtoi se do të aktivizonte shërbimin në Ukrainë dhe se do të ndihmonte të gjithë shtetasit me antenat e nevojshme për lidhjen në këtë rrjet. Rusia po mendohet mirë para se të qëllojë mbi satelitët e Starlink, jo sepse nuk i kanë mundësitë, por sepse kjo gjë do të nënkuptonte një përshkallëzim tepër të madh të luftës, duke rritur tensionet në perëndim.
Në fund të vitit 2021 Rusia testoi një raketë anti-satelit, duke e shndërruar një satelit në një re të rrezikshme me mbetje. NASA dhe agjensi të tjera hapësinore dënuan këtë veprim të Rusisë duke treguar se ky veprim mund të sjellë një rrezik të madh për Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Mirëpo dhe pse Rusia bën një kërcënim të tillë, do ta ketë shumë të vështirë të shkatërrojë të gjithë flotën prej 2,000 satelitësh të SpaceX, e cila pritet të rritet akoma dhe më shumë.