Kemi dëgjuar shumë kohët e fundit se si Grimes përfitoi mijëra dollar për NFT ose se si Nyan Cat u shit si një e tillë. Tani dhe themeluesi i Twitter sapo nxorri një tweet të autografuar për shitje si një NFT. Duket sikur ato u shfaqën krejt papritur por në të vërtetë kanë ekzistuar prej vitesh.
Por çfarë është NFT?
NFT përdoret si shkurtim për fjalët non-fungible token, një njësi unike cryptocurrency. Është një çertifikatë për një pronë dixhitale dhe regjistrohet në blockchain (një shpjegim të shkurtër për blockchain do ta gjeni këtu). Kështu pronari i një NFT zotëron një aset të çfardoshëm dhe provën e pronësisë së këtij aseti.
Si funksionon NFT?
Shumica e NFT janë pjesë e Etherum Blockchain. Etherum është një cryptocurrency si Bitcoin ose Dogecoin, por blockchain i saj suporton gjithashtu këto NFT, të cilat përmbajnë një informacion ekstra. NFT mund të jetë çdo gjë dixhitale si pikturat, muzika etj. Për momentin ato po përdoren si një evolucion i koleksionimit të artit dixhital, si për shembull blerja e një video 50 sekondëshe e Grimes për $390,000. Gjithashtu një video e Beeple u ble për $6.6 milionë.
Në fakt ne mund të shkarkojmë falas nga interneti videon që u ble me këto shifra marramendëse, por ne nuk do të kemi kurrë pronësinë e këtij punimi.
Pse njerëzit blejnë NFT?
Arsyeja kryesore se pse njerëzit blejnë NFT është shumë e thjeshtë, shpresojnë që vlera e tyre të rritet dhe të përfitojnë para nga shitja e tyre. Një tjetër arsye është fitimi i të drejtës së publikimit të këtij arti.