National Highway Traffic Safety Administration (NHTSA) ka filluar kërkimet dhe i është drejtuar Tesla-s me disa pyetje për të kuptuar se pse kjo kompani i lejon drejtuesit të luajnë video-lojra ndërkohë që drejtojnë makinën.
New York Times raportoi ditën e martë se një drejtues i makinave Tesla zbuloi se ai mund të luante disa video-lojra si Solitaire në ekranin e madh të makinës së tij, ndërkohë që ajo ishte në lëvizje.
NHTSA lëshoi menjëherë një deklaratë të njejtën ditë duke treguar se “ishin në dijeni të situatës dhe se ajo po diskutohet me prodhuesit”.
“The Vehicle Act ndalon prodhuesit të shesin produkte defektive që shfaqin rreziqe pa shkak për sigurinë.” shtoi NHTSA. Në të njejtën kohë ato rekomanduan se prodhuesit nuk duhet të përfshijnë në makina shërbime që nuk mund të përdoren nga drejtuesi pasi janë shpërqëndruese.
“Nëse një nga shërbimet nuk plotëson kriteret bazë të pranimit, atëherë ky shërbim duhet të jetë i paaksesueshëm nga drejtuesi ndërkohë që makina është në lëvizje.”
Tesla nuk ka publikuar asnjë deklaratë për shtyp deri më tani. Sipas NHTSA në 2019 u regjistruan rreth 3,100 aksidente për faj të drejtuesve të shpërqëndruar.
Në muajin gusht agjensia shtetërore nisi një investigim mbi sistemin Autopilot të Tesla, pasi u regjistruan rreth 11 raste ku ky sistem nuk ishte në gjendje të merrte vendime.