Një studim i ri nga Universiteti Sorbonne në Paris paralajmëron se qytete dhe zona bregdetare në mbarë botën mund të fundosën nën ujë brenda 275 viteve të ardhshme, nëse emetimet e gazeve serrë vazhdojnë me ritmin aktual. Sipas simulimeve, deri në 59% e shtresave të akullit të Antarktidës mund të shkrijnë deri në vitin 2300, duke shkaktuar një rritje të pakthyeshme të nivelit të detit deri në 10 metra.
Kjo do të kishte pasoja katastrofike: shumë qytete do të zhdukeshin nën ujë. Studiuesit, të udhëhequr nga Clara Burgard, theksojnë se akullnajat e Antarktidës veprojnë si një “brez sigurie” që frenon derdhjen e akullit në oqean. Kur këto struktura dobësohen ose shemben, procesi i shkrirjes përshpejtohet në mënyrë dramatike.

Simulimet treguan kontraste të mëdha mes skenarëve të ndryshëm klimatikë: nëse ngrohja globale kufizohet nën 2°C, vetëm një shtresë akulli do të rrezikohej deri në vitin 2300; por nëse temperatura globale ngjitet deri në 12°C, 38 nga 64 shtresat ekzistuese do të zhduken plotësisht.
Periudha më kritike do të jetë midis 2085 dhe 2170, kur shkrirja e akullit do të përshpejtohet ndjeshëm. Shkencëtarët paralajmërojnë se parashikimi është madje “konservator”, pasi faktorë si çarjet, prishjet strukturore dhe reshjet ekstreme mund ta përshpejtojnë procesin.
Studimi, i botuar në revistën Nature, dërgon një mesazh të qartë: veprimet që ndërmerren sot për të ulur emetimet do të përcaktojnë nëse brezat e ardhshëm do të trashëgojnë një planet të qëndrueshëm apo një botë të mbytur nën ujë.

