Polestar ka karikuar me sukses modelin e tij të ardhshëm EV në vetëm 10 minuta. Prodhuesi suedez i makinave e arriti këtë gjë duke përdorur një bateri me material kryesor silikonin të prodhuar nga startup-i izraelit StoreDot.
Polestar instaloi baterinë në një prototip plotësisht të lëvizshëm të modelit të tij Polestar 5, i cili do të dalë në shitje vitin e ardhshëm. Ai arriti të karikonte EV nga 10% në 80% nën kufirin kohor prej 10 minutash. Bateritë e StoreDot përdorin anoda silikoni në vend të grafitit. Anodat e silikonit mund të ruajnë 10 herë më tepër se sasia e joneve të litiumit që ruan grafiti, ndërsa zë shumë më pak hapësirë. Kjo do të thotë bateri më efikase që zgjasin më shumë dhe mund të karikohen më shpejt.
Polestar dhe StoreDot pretendojnë se kjo është koha më e shpejtë e karikimit e regjistruar ndonjëherë për një EV të pajisur me bateri të me anodë silikoni. “Shoferët tani mund të udhëtojnë vërtet distanca të gjata me të njëjtën liri dhe komoditet si automjetet tradicionale me benzinë,” tha Dr Doron Myersdorf, CEO i StoreDot.
Bateritë e StoreDot mund të montohen në trupat ekzistues të makinave elektrike. Ato mund të karikohen duke përdorur karikues të rregullt DC. “Kjo teknologji do të riformulojë pritshmëritë e konsumatorëve dhe do të përshpejtojë adoptimin masiv të EV duke e bërë pronësinë e EV një përvojë të pandërprerë për tregun masiv,” tha Thomas Ingenlath, CEO i Polestar.
Prodhuesit e automjeteve elektrike janë në kërkim të baterive më të mira për të përmbushur kërkesat e klientëve për autonomi më të gjatë dhe karikim më të shpejtë. Gara është në vazhdim për të gjetur kombinimin fitues kimik.
Toyota, për shembull, po zhvillon teknologjinë e baterive në gjendje të ngurtë që mund të sigurojë një autonomi të madhe 1500 km deri në vitin 2027.