Pas lançimit në Android disa javë më parë, WhatsApp po sjell tani edhe në iOS mjetin e vet të integruar për përkthimin e mesazheve, duke zgjeruar funksionalitetet inteligjente që platforma ka shtuar kohët e fundit. Funksioni është pjesë e versionit 25.28.74 dhe vjen së bashku me mbështetjen për Live Photos. Meta njofton se shpërndarja e plotë do të zgjasë disa javë për të arritur tek të gjithë përdoruesit.
Për të përdorur përkthimin, përdoruesit duhet të mbajnë shtypur një mesazh, të zgjedhin “More…” dhe më pas opsionin “Translate”. Në përdorimin e parë, aplikacioni kërkon të shkarkohen paketat përkatëse të gjuhëve, të cilat më pas mund të përdoren edhe pa lidhje interneti. Gjuha origjinale dhe ajo e që dëshironi ta përktheni mund të ndryshohen në çdo kohë përmes Settings > Translate > Downloaded Languages.

Aktualisht, funksioni mbështet 21 gjuhë, përfshirë: anglishten (UK/US), frëngjishten, gjermanishten, spanjishten, portugezçen (Brazil), arabishten, rusishten, japonishten, kinezçen (e thjeshtuar dhe tradicionale), turqishten, ukrainishten, vietnamezçen, tajlandishten, italishten, hindishten, indonezishten, polonishten dhe holandishten. Lista e gjuhëve të disponueshme mund të ndryshojë në varësi të versionit të iOS-it.
Sipas Meta, përkthimi mund të përdoret si për mesazhet e dërguara ashtu edhe për ato të marra, në biseda individuale apo grupore. Megjithatë, dokumentet, vendndodhjet, kontaktet, sticker-at dhe GIF-et nuk mund të përkthehen. Për funksionimin optimal kërkohet lidhje interneti dhe hapësirë e mjaftueshme ruajtjeje.
Kjo veçori e re e bën WhatsApp-in më praktik për komunikimin shumëgjuhësh, duke eliminuar nevojën për aplikacione shtesë për përkthim.