Kush nga ne do ta kishte menduar se do të përdornim ende Bing në vitin 2023 me dëshirën tonë të plotë?
Yusuf Mehdi, zëvëndës presidenti i Microsoft Modern Life, Search and Devices bën të ditur se Bing ka tashmë mbi 100 milionë përdorues aktivë mujorë, pas lançimit të AI chatbot në këtë motor kërkimi. Ai shtoi se kompania është tërësisht në dijeni se kjo është një shifër e vogël krahasuar me numrin total të përdoruesve të motorëve të kërkimit, por megjithatë është një zhvillim i rëndësishëm për Bing, i cili deri para pak kohësh përdorej nga shumë më pak njerëz.
Rreth një e treta e përdoruesve ditor të Bing e kanë përdorur AI Chatbot të fuqizuar nga ChatGPT për navigimin e tyre të përditshëm. Mesatarisht, Microsoft tregon se bëhen rreth 3 pyetje për çdo sesion nga përdoruesit, dhe se që nga prezantimi i Bing-ut të ri janë gjeneruar më tepër se 45 milionë chats.
Microsoft po përfiton jashtëzakonisht shumë pasi është kompania e parë që e implementoi këtë inovacion teknologjik në motorin e saj të kërkimit, dhe Google po bën ç’është e mundur për të sjellë në treg sa më shpejt një shërbim të ngjashëm.
AI Chatbot i Google do të quhet Bard, dhe momentalisht po testohet nga punonjësit e Google para prezantimit të tij.