Ekspertët kanë sugjeruar se emisioneve televizive mund t’i vijë fundi shumë shpejt, pasi nuk ka arritur të tërheqë vëmendjen e gjeneratës së re, të cilët preferojnë eksperienca më interaktive si metaverse.
Frederic Cavazza, bashkë-themelues i Sysk (kompani e specializuar në transformimin dixhital) tha se moshat e reja kanë evoluar përtej spektatorëve pasivë të televizionit, në pjesëmarrës aktivë në eksperiencat interaktive. “Ato janë larguar nga ekranet dhe i janë drejtuar smartphone-ve” tha Cavazza, ndërkohë që shtoi dhe se “emisionet televizive do të vdesin me audiencën e tyre, nëse ato nuk përshtaten me ndryshimet”.
Personat e moshuar duket të jenë më tepër të tërhequr nga emisionet televizive, ndërkohë që moshat mesatare kanë filluar të përdorin më tepër shërbimet si Netflix apo Disney+. Shikueshmëria e televizionit në personat nën 35 vjeç është përgjysmuar gjatë dekadës së fundit, dhe pritet të ulet akoma më tepër me zhvillimin e metaverse.
“Nëse ne duam të mbetemi të rëndësishëm, do të na duhet të ripozicionohemi në platformat e reja.” tha Kati Bremme drejtuese e inovacionit për France Televisions. Sfida më e madhe e tyre është ajo financiare, pasi krijimi i platformave interaktive mund të ketë kosto të mëdha.
Deri më tani kompanitë e mëdha televizive nuk e kanë bërë një përpjekje të tillë pasi fitimet nga reklamat kanë qenë të paprekura, ndryshe nga gazetat apo revistat.