Kina ka prodhuar shumë panele diellore, duke ulur në mënyrë drastike çmimet dhe duke ndihmuar tranzicionin e vendit drejt energjisë së pastër. Problemi është se prodhuesit kinezë duket se kanë prodhuar sasi shumë të mëdha panelesh diellore, sipas SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tyre.
Ata tani po i bëjnë thirrje Pekinit që të frenojë kapacitetin e tepërt të paneleve dhe mallrave të tjera, pasi i shqetësohen fillimit një lufte tregtare. Reuters raportoi të mërkurën se Kina kishte instaluar aq shumë panele diellore saqë vendi nuk kishte kapacitet ruajtjeje apo transmetimi të energjisë së prodhuar. Një mbiprodhim i tillë bëri që autoritetet kineze të tërhiqnin një pjesë të subvencioneve për sektorin, duke çuar në më pak instalime të paneleve diellore.
Deri në mars të këtij viti, Kina – tregu më i madh në botë i energjisë diellore – kishte instaluar panele diellore me kapacitet total 660GW. Ndërkohë, SHBA-ja e mbylli vitin 2023 me 179GW, të mjaftueshme për të furnizuar me energji 33 milionë shtëpi amerikane.
Duke pasur parasysh gjendjen e tepërt në stok, ky zhvillim tregon një mundësi që nuk do të mirëpritet nga Perëndimi: Kina të vazhdojë të shesë panelet e tepërta diellore në tregun ndërkombëtar.
Në fillim të këtij muaji, presidenti i SHBA Joe Biden njoftoi se do të dyfishonte tarifat për importet kineze të paneleve diellore nga 25% në 50%.