Gjigandi i teknologjisë Samsung ka konfirmuar vjedhjen e të dhënave personale të disa klientëve të kompanisë. Përmes një lajmërimi të shkurtër, Samsung tregoi se ka zbuluar këtë incident në siguri në fund të muajit korrik, dhe se një palë e 3-të e paautorizuar përfitoi informacione nga disa sisteme amerikane të Samsung.
Kompania tha se numrat e social security apo ato të kartave të kreditit nuk janë prekur nga kjo vjedhje e të dhënave, mirëpo disa informacione të tjera si emri, kontaktet, informacionet demografike, data e lindjes dhe informacioni i regjistrimit të produktit mund të jenë vjedhur.
“Informacioni i vjedhur për secilin konsumator mund të jetë i ndryshëm. Ne po lajmërojmë përdoruesit që t’i bëjmë ata me dijeni për situatën.” tregohet në deklaratë. Të dhënat demografike sipas Chris Langlois janë ato të përdorura për marketing dhe reklamim, mirëpo ai nuk i specifikoi se çfarë të dhënash përfshihen në këtë kategori.
Langlois nuk arriti të tregonte se sa ishte numri i pajisjeve të prekura nga kjo vjedhje e të dhënave apo se pse kompania u vonua një muaj për të bërë një lajmërim të tillë. Mirëpo ai tregoi se kompania ka ndërmarrë hapa për të siguruar sistemet e saj në bashkëpunim me firma të sigurisë kibernetike.