Ish-CTO dhe CEO e OpenAI, Mira Murati, ka prezantuar zyrtarisht kompaninë e saj të re të inteligjencës artificiale, Thinking Machines Lab, duke siguruar një financim rekord prej 2 miliardë dollarësh në një raund fillestar që e vlerëson kompaninë në $12 miliardë. Gjigantët e çipeve Nvidia dhe AMD janë mes investitorëve të rinj, së bashku me firmat e kapitalit sipërmarrës Andreessen Horowitz, Accel dhe firmën tregtare Jane Street.
Edhe pse kompania ka treguar pak për projektet e saj, Murati ka bërë të ditur se në muajt e ardhshëm do të prezantohet një produkt i ri, i cili do të përfshijë një komponent me burim të hapur që do t’u vijë në ndihmë studiuesve dhe start-upeve të AI për të ndërtuar modele të personalizuara.
Kompania me qendër në San Francisko po zhvillon AI multimodale, që ndërvepron natyrshëm përmes bisedës, shikimit dhe bashkëpunimit—një qasje që pasqyron punën e Muratit në OpenAI me produkte si ChatGPT, DALL·E dhe modaliteti zanor.
Jane Street, e njohur për investime në start-ups të AI dhe financa të decentralizuara, ka mbështetur edhe Anthropic dhe bleu aksione nga FTX në 2024.
Murati, 36 vjeç, shërbeu përkohësisht si CEO i OpenAI gjatë një krize në bord në nëntor 2023. Ajo u largua nga OpenAI në shtator për të ndjekur aventurën e saj personale në AI. Më parë, ajo ishte menaxhere e lartë e produkteve në Tesla, ku kontribuoi në zhvillimin e Model X.
Aktualisht, në një klimë gare të fortë për talente në fushën e AI në Silicon Valley, Murati po rekruton intensivisht, duke punësuar ish-punonjës të OpenAI, Google, Meta dhe start-upit francez Mistral.