Meta tregoi gjatë një deklarate se ka prodhuar “sistemin AI më gjithëpërfshirës për gjenerimin e të folurit” që ekziston, megjithatë shtoi se kompania nuk do ta prezantojë këtë model për publikun, pasi i frikësohet keqpërdorimit nga ana e mashtruesve.
Gjatë muajve të fundit, këta mashtrues kanë shfrytëzuar sisteme AI të ndryshme që kopjojnë zërin e personave të caktuar për të kryer krime shokuese, duke përfshirë këtu dhe një tentativë për të rrëmbyer një vajzë adoleshente duke përdorur zërin e gjeneruar nga AI të nënës së saj.
Megjithatë Meta prezantoi dhe anët pozitive të këtij sistemi, duke thënë se Voicebox mund të përdoret nga të gjithë personat me probleme me shikimin të dëgjojnë mesazhe nga miqtë dhe familjarët e tyre, apo nga persona që udhëtojnë në një shtet të huaj dhe nuk dinë mirë gjuhën, duke e përdorur shërbimin për të përkthyer në kohë reale fjalët e tyre.
Për momentin, kompania tha se modeli i saj AI është në gjendje të flasë në 6 gjuhë të ndryshme: anglisht, frengjisht, spanjisht, gjermanisht, polonisht dhe portugalisht.
Voicebox mund të përdoret dhe nga krijuesit e videove, për të edituar në mënyrë të shpejtë zërat në sfond që nuk dëshirojnë, nga karakteret në video-lojra si dhe nga asistentët virtualë, për të folur në mënyrë sa më reale.