Sa herë që mendja njerzore vihet përpara fenomeneve që nuk mundet ti shpjegojë, alternativa më e thjeshtë është fantazia, kështu edhe lindin teoritë konspirative, mitet, legjendat, flatearthers etj. Ndaj edhe gjatë kësaj pandemie kemi parë shpjegime jozyrtare nga më të ndryshmet, ajo që ka marrë më shumë gravitet lidhet me Bill Gates dhe pretendimet se vaksina e tij kërkon të instalojë çipa tek njerzit për t’i gjurmuar. Ndërsa askush nuk mund të thotë me siguri cila është e vërteta ky i fundit është pyetur pikërisht për këtë.
Gjatë një interviste ekskluzive me CBS News, Gates ka qenë i ftuar për të shpjeguar situatën aktuale me vaksinat, pasi siç e dimë fondacioni Bill & Melinda Gates është ndër investitorët më të mëdhenj për gjetjen e një vaksine.
Gates ka kritikuar qeverinë për bllokim të ekspertëve dhe gabime në lëshimin e masave ndërsa ka marrë si shembull suksesin e Europës në përballje me situatën dhe uljen e infektimeve të reja.
Ai shprehet se nga fundi i vitit pasardhës duhet të kemi disa alternativa të suksesshme vaksinash, së pari në amerikë e më pas do të fillojë shpërndarja edhe nëpër botë. Sa i përket shpërndarjes ai është shprehur se duhen përmbushur nevojat e të paktën 60-70% të popullsisë ndaj për një shpërndarje globale kërkohet një ndërmarrje kolosale e cila do të drejtohet nga shumë shtete, qeveri e kompani e jo vetëm një njësi.
Nga ana tjetër emisioni ka rezervuar kuriozitetin e të gjithëve për pjesën e fundit teksa Norah O’Donnell e ka pyetur “ A të duhet një vaksinë në mënyrë që të instalosh mikroqarqe tek njerzit?“
Gates është përgjigjur thjeshtë “Jo, nuk ka lidhje midis këtyre vaksinave dhe ndonjë lloj sistemi gjurmimi të ndonjë lloji, nuk e di nga ka ardhur kjo.”
Pasi O’Donnell e ka prezantuar me sondazhet të cilat tregojnë se një pjesë e madhe e popullit amerikan i beson kësaj teorie Gates është përgjigjur “Nuk e di. Doktor Faucci dhe unë jemi nga më të përmendurit. Dhe disa prej këtyre janë thellësisht ironike, fondacionet tona janë për uljen e vdekjeve, sjelljen e barazisë, dhe ideja që ne akuzohemi për krijimin e çipe apo virusin… mendoj se duhet të nxjerrim të vërtetën, të shpjegojmë vlerat tona, të shpjegojmë pse jemi përfshirë në këtë punë, pse jemi të gatshëm të fusim qindra e biliona për të përshpejtuar proçesin, është pak e paqartë për mua, por do të sheshohet pasi njerzit të kenë fakte.”
Në momentin që po flasim disa vaksina janë në fazën e tretë të testimit, pacientët që kanë dalë vullnetarë kanë parë edhe mjaft efekte anësore, por sipas Gates sa kohë nuk kemi dëme të rënda shëndetsore puna duhet të vazhdojë. Sipas parashikimeve të tij në dy-tre muajt e ardhshëm duhet të kemi forma të reja testimi, të përshkruara gati si një test shtatzanie, saktësia e të cilës nuk do të jetë e njejtë me ato molekulare por do të ndihmojnë sidoqoftë.