Gjatë kohëve të fundit kemi parë se si inteligjenca artificiale po integrohet në të gjithë aplikacionet, pavarësisht qëllimit të tyre, dhe e njejta gjë ka ndodhur dhe me Duolingo. Megjithatë, ndryshe nga kompanitë e tjera, CEO Luis von Ahn beson jashtëzakonisht shumë në AI, saqë në mbledhjen e fundit të fitimeve e zëvendësoi CEO-n me një avatar AI, si dhe ka deklaruar se do të zëvendësojë të gjithë punonjësit me AI.
Me mbi 116 milionë përdorues në muaj, Duolingo ka grumbulluar një sasi të madhe të dhënash mbi mënyrën si mësojnë njerëzit. Sipas themeluesit dhe CEO-s Luis von Ahn, AI mund të personalizojë mësimin në një mënyrë që do të ndryshojë një herë e mirë mësimdhënien.
Von Ahn theksoi në një intervistë për No Priors se AI është më e shkallëzueshme se mësuesit dhe mund të analizojë saktësisht pikat e forta dhe të dobëta të çdo nxënësi. Megjithatë, ai pranon se mësuesit dhe shkollat nuk do të zhduken plotësisht, pasi ato ofrojnë mbështetje emocionale dhe kujdes për fëmijët.
Ai pranon se disa lëndë, si historia, mësohen më mirë me video të prodhuara mirë, diçka që AI ende nuk e bën mirë. Por falë të dhënave të grumbulluara ndër vite, Duolingo ka kryer mbi 16,000 teste A/B për të përmirësuar përvojën e përdoruesit, si për shembull për të dërguar kujtesa në momentin e duhur ose për të ofruar ushtrime në nivelin ideal të vështirësisë.
Ndërkohë, disa shkolla si Alpha School në SHBA, po përdorin AI në mënyrë intensive, duke lejuar që mësimi të zgjasë vetëm dy orë në ditë, ndërsa mësuesit veprojnë më shumë si mbështetës emocionalë. Megjithëse von Ahn beson se ndryshimi do të vijë ngadalë, ai është i bindur që e ardhmja e arsimit do të dominohet nga AI.