Një nga bashkëthemeluesit e WeTransfer, shërbimit shumë të përdorur për ndarjen e dokumenteve të ndryshme (sidomos fotografive), ka dalë hapur kundër drejtimit të ri që ka marrë kompania pas blerjes nga Bending Spoons. Sipërmarrësi holandez Nalden, i cili e bashkëthemeloi WeTransfer në vitin 2009, shprehet thellësisht i zhgënjyer nga ndryshimet e bëra që nga koha kur ai u largua nga kompania në vitin 2019.
Sipas Nalden, Bending Spoons, një kompani teknologjike nga Milano e njohur për blerjen dhe ristrukturimin e aplikacioneve popullore, nuk e vendos përdoruesin në qendër. Ai thotë se shumë përditësime kanë “vrarë produktin” nga këndvështrimi i tij. Pas blerjes, WeTransfer, që sot ka mbi 70 milionë përdorues aktivë mujorë, ndryshoi në mënyrë të paqartë funksionimin e linksboo të transferimit dhe pushoi nga puna rreth 75% të stafit.
Gjithashtu, kompania u përfshi në polemika pasi u zbulua se po përdorte përmbajtjen e përdoruesve për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale, duke u detyruar më pas të tërhiqej nga disa ndryshime në kushtet e përdorimit.
Pas këtyre zhvillimeve, Nalden tregon se shumë krijues filluan ta kontaktonin për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Kjo e shtyu atë të ndërtonte një alternativë të re që rikthen filozofinë fillestare të thjeshtësisë. Projekti i tij i ri quhet Boomerang dhe lejon transferimin e skedarëve pa nevojën e regjistrimit.

Boomerang ofron një përvojë minimale dhe të drejtpërdrejtë. Përdoruesit pa llogari kanë kufi 1GB dhe skedarët fshihen pas shtatë ditësh, ndërsa krijimi i një llogarie falas rrit kufijtë dhe shton funksione shtesë. Një abonim prej 6.99 euro në muaj ofron më shumë hapësirë, siguri dhe personalizim. Nalden thekson se nuk do të ketë reklama dhe as mbledhje të panevojshme të të dhënave, duke synuar thjesht një mjet që “funksionon”, pa komplikime.

