Në shkretëtirat e Australisë Perëndimore gjendet një ndër grupet më të mëdha të radio teleskopëve, që përbëhet nga 36 antena dhe quhet Australian Square Kilometre Array Pathfinder.
Përgjatë dy viteve të fundit antenat janë drejtuar në disa raste drejt zemrës së Rrugës së Qumështit, galaksisë tonë, dhe shpesh herë janë regjistruar sinjale radio jo të zakonshme të cilat nuk përshtaten me asnjë objekt që ne njohim deri më tani.
Zbulimi i këtyre valëve u publikua në Astrophysical Journal. Emri i tyre është tepër i ngatërruar, ASKAP J173608.2-321635. Në periudhën nga muaji prill 2019 dhe deri në gusht 2020, këto valë janë regjistruar 13 herë, por asnjëherë nuk ka pasur një rishfaqje konsistente.
“Ky objekt është unik në mënyrën se si shfaqet: ai fillimisht është i padukshëm, më pas bëhet i ndritshëm dhe zhduket, por rishfaqet sërisht.” tha Tara Murphy, një astrofizikante në University of Sydney dhe bashkëautore në gazetë.
Fillimisht ekipi mendoi se sinjali radio mund të ishte duke u emëtuar nga një lloj ylli neutron pulsues, i cili është shumë i dendur dhe lëshon një radiacion elektromagnetik ndërkohë që rrotullohet me shpejtësi në hapësirë. Mirëpo kur ata kërkuan për këtë yll duke përdorur teleskopin Murriyang, ata nuk gjetën asnjë të dhënë.
Ka shumë mundësi që këto sinjale të vijnë nga fusha magnetike e një objekti, si një grup mbetjesh hapësinore ose diçka tërësisht e re. Në qendër të Rrugës së Qumështit gjendet gjithashtu një vrimë e zezë që njihet si Sagittarius A, mirëpo nuk ka asnjë indikacion që na bën të besojmë se valët radio vijnë nga kjo vrimë e zezë.