Apple tashmë nuk është më kompania më e vlefshme në botë, dhe është zëvëndësuar nga Aramco, një kompani nga Arabia Saudite e cila merret me prodhimin e karburanteve.
Me sa duket investitorët kanë vendosur të shesin një përqindje të aksioneve të tyre në kompanitë teknologjike për të blerë asete që kanë më pak risqe. Kohët e fundit ne kemi parë dhe se si Bitcoin së bashku me kriptomonedha të tjera si Terra LUNA kanë humbur vlerën e tyre në treg brenda një kohe të shkurtër (kjo e fundit pa një rënie të vlerës prej 98% brenda 24 orësh).
Vlera e aksioneve të Apple ra me 5% ditën e enjte, duke bërë që vlera e kompanisë të shkojë në $2.37 trilion. Kjo mundësoi që Aramco të renditet në vendin e parë në kategorinë e kompanive më të vlefshme në botë, me një vlerë prej $2.42 trilion.
Kjo është hera e parë që Aramco renditet në vendin e parë që nga viti 2020. Vlera e aksioneve të kompanive prodhuese të energjisë është rritur këtë vit pasi çmimi i gazeve natyrale dhe produkteve bazë të karburanteve janë rritur.
Rritja e çmimeve ka qenë dhe mbetet një ndër rreziqet më të mëdha të rikuperimit të ekonomisë globale që pas shfaqjes së pandemisë.