Apple do të nisë të përdorë panelet microLED duke nisur që nga viti 2024, siç raporton The Korea Herald, por ka pasur dhe burime të tjera që pohojnë të njejtën lëvizje.
Sipas një raportimi nga Institute for Information & Communications Technology Promotion (IITP), Apple po kërkon që t’i prodhojë vetë këto panele, mirëpo në vitet e para pritet të ketë nevojë për ndihmë nga kompanitë e tjera. Rreth 60% e paneleve që do të përdoren vitin e ardhshëm do të jenë të prodhuara nga Samsung dhe nga LG Display.
Tranzicioni nga diodat organike që emëtojnë dritë drejt teknologjisë së mikrodiodave do të aplikohet fillimisht në Apple Watch Ultra. Më pas, kur panelet të jenë maturuar dhe çmimi të përmirësohet, ekranet microOLED do të përdoren dhe në iPhone. Megjithatë IITP thekson se një gjë e tillë nuk do të ndodhë para vitit 2025.
Në raport tregohet gjithashtu se vendimi i Apple për të qenë i pavarur për sa i përket proçesorëve si M1 në Macbooks do të ulë dominancën e Intel, Qualcomm dhe Broadcom në treg, ndërkohë që TSMC do të fuqizohet më tepër së bashku me Samsung Semiconductor.