Gratë jetojnë më gjatë se burrat – një fakt i vërtetuar pothuajse në të gjitha vendet dhe periudhat historike, madje edhe tek shumë specie shtazore. Një studim i ri nga Max Planck Institute for Evolutionary Anthropology hedh dritë mbi këtë mister të kahershëm, duke sugjeruar se diferenca është e rrënjosur thellë në evolucion.
Studiuesit analizuan 1,176 specie të gjalla në kushte të kontrolluara, në studimin më të gjerë të deritanishëm mbi ndryshimet gjinore në jetëgjatësi tek gjitarët dhe zogjtë. Ata zbuluan se femrat gjitare jetojnë mesatarisht 12% më gjatë se meshkujt, ndërsa tek zogjtë ndodh e kundërta: meshkujt jetojnë rreth 5% më gjatë se femrat.
Një shpjegim i mundshëm është hipoteza që lidhet me kromozomet seksuale. Tek gjitarët, femrat kanë dy kromozome X, që mund t’i mbrojnë nga mutacione të dëmshme, ndërsa meshkujt kanë X dhe Y. Tek zogjtë, ndodh e kundërta – femrat kanë 2 kromozome të ndryshme, çka shpjegon pse meshkujt jetojnë më gjatë. Në fakt, 72% e gjitarëve në studim kishin avantazh për femrat, ndërsa 68% e zogjve për meshkujt.
Por kromozomet nuk janë e vetmja arsye. Studiuesit zbuluan se strategjitë riprodhuese luajnë një rol të madh. Tek gjitarët, ku meshkujt konkurrojnë për partnerë dhe kanë karakteristika si trup i madh apo ngjyra të theksuara, ata priren të jetojnë më pak. Ndërsa zogjtë, që shpesh përballen me më pak konkurrencë, kanë jetë më të gjatë.
Gjithashtu, seksi që kujdeset më shumë për të vegjlit – zakonisht femrat tek gjitarët – ka prirje të jetojë më gjatë, pasi kjo rrit mbijetesën e pasardhësve. Edhe pse studimi u krye në kushte të sigurta në kopshte zoologjike, diferenca gjinore në jetëgjatësi mbeti e pranishme.