Human Metapneumovirusi (HMPV) është një virus që shkakton simptoma të ngjashme me gripin ose të ftohtin, por mund të çojë në komplikime më serioze si bronkiti ose pneumonia, veçanërisht tek të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe njerëzit me imunitet të komprometuar.
Sëmundja është në të njëjtën familje si virusi respirator sincicial (RSV) dhe ka qenë i përhapur që nga viti 2001 kur u identifikua për herë të parë në Holandë. Shpërthimet e tij janë të përqendruara gjatë stinëve më të ftohta.
Pse HMPV po diskutohet çdo ditë e më tepër?
Rastet janë rritur në Kinën veriore, veçanërisht në mesin e fëmijëve, sipas autoriteteve lokale. Qendra e vendit për kontrollin e sëmundjeve (CDC) i ka paralajmëruar njerëzit që të marrin masa paraprake me shëndetin dhe higjienën, por gjithashtu është shprehur kundër pretendimeve në internet për spitalet e mbingarkuara dhe frikës nga një tjetër pandemi e ngjashme me Covid. Rritja e dukshme e rasteve në krahasim me vite më parë ka ardhur dhe për shkak se teknologjia e re zbulon dhe identifikon më lehtë HMPV-në, thanë ekspertët.
Sa serioz është HMPV dhe cilat janë simptomat?
Simptomat e HMPV janë të ngjashme me një ftohje ose grip, mund të shoqërohet me infeksione të traktit të sipërm respirator, por disa herë mund të shkaktojë dhe infeksione si pneumonia ose përkeqësimin e sëmundjeve aktuale si SPOK. “Ata na bëjnë të ndihemi keq për disa ditë, por nëse pushojmë dhe rikuperohemi, atëherë do të përmirësohemi”, tha Dr. Jacqueline Stephens.
Kush është më i rrezikuar nga metapneumovirusi human?
HMPV mund të çojë në sëmundje më serioze si bronkiti dhe pneumonia tek të moshuarit, fëmijët shumë të vegjël dhe njerëzit me imunitet të kompromentuar.
Sa duhet të shqetësohemi për virusin?
HMPV nuk është si Covid-19, ka ekzistuar për disa dekada dhe ka një nivel imuniteti në popullatën globale nga infeksionet e kaluara, thanë ekspertët. Covid-19 ishte një sëmundje e re që nuk kishte infektuar kurrë njerëzit më parë, duke nxitur përhapjen në nivel pandemie. Ekspertët gjithashtu u kërkuan njerëzve që të mos shkonin në punë ndërsa ishin të sëmurë, dhe Stephens sugjeroi të mbani një maskë nëse duhet të shkoni në komunitet, për të parandaluar infektimin e mëtejshëm të të tjerëve, veçanërisht personave në rrezik më të lartë.