Me lançimin e serisë Galaxy S23, Samsung prezantoi dhe versionin e ri të melodisë ikonike “Over The Horizon”, e cila do të luhet sa herë të merrni një telefonatë në smartphone-t e rinj.
Edicioni i këtij viti është zhvilluar në bashkëpunim me Yaeji, një artiste amerikane me prejardhje koreane, për të festuar “optimizmin dhe pozitivitetin në një botë që evoluon dita-ditës”.
Melodia “Over The Horizon” riimagjinohet sa herë që prezantohet një pajisje e re Galaxy S duke ruajtur elementet bazë, por duke u ndryshuar çdo vit në bazë të trendeve të çdo viti. Stili i Yaeji është mjaft i njohur në skenën e kërcimit elektronik me stilin “lo-fi hip-hop për relaksim/studim”.
Yaeji u bë e famshme në vitin 2017 nga “Raingurl”, dhe në prill të këtij viti pritet që artistja të prezantojë albumin e parë “With a Hammer”. Bashkëpunimi me Samsung e reklamon akoma më tepër muzikën e saj, duke mundësuar që më tepër njerëz të lidhen me stilin e saj unik të muzikës.
Në këtë bashkëpunim Yaeji përdori një kombinim të elementëve elektronikë, duke krijuar një version argëtues “që nxit ndjenjat universal të shpresës dhe gëzimit, duke ftuar përdoruesit që të jenë optimistë për gjërat që ndodhen në anën tjetër të horizontit”, siç tregohet në deklaratën zyrtare për shtyp.
article by: Arnold Kajolli