Samsung pritet të prezantojë Galaxy S25 FE si modelin e 5-të në serinë Galaxy S25, pas Galaxy S25 Edge. Ky model do të pasojë Galaxy S24 FE, i cili u lançua në tetor 2024. Së fundmi, një pajisje e re Samsung me numrin e modelit SM-S731U është zbuluar në Geekbench, dhe besohet të jetë Galaxy S25 FE, duke ndjekur logjikën e numrave të modeleve – Galaxy S24 FE mbante numrin SM-S721U.
Testet në Geekbench zbulojnë disa specifikime kyçe: pajisja do të vijë me Android 16, 8 GB RAM dhe një procesor deka-core (10 bërthama) me konfigurim: katër bërthama 1.96GHz, tre 2.00GHz, dy 2.90GHz dhe një bërthamë me performancë të lartë 3.21GHz. Pajisja ka shënuar 2064 pikë në testin single-core dhe 6899 në multi-core.

Pajisja përmban gjithashtu GPUSamsung Xclipse 940, që sugjeron se mund të përdorë procesorin Exynos 2400 – të njëjtin që gjendet edhe në Galaxy S24 dhe S24 FE. Megjithatë, disa raportime alternative pretendojnë se Galaxy S25 FE mund të vijë me MediaTek Dimensity 9400.
Sa i përket kamerës, Galaxy S25 FE pritet të ketë kamera të përmirësuar selfie prej 12MP, sipas Galaxy Club – një përmirësim nga kamera 10MP e Galaxy S24 FE. Kjo do të sjellë cilësi më të lartë të fotove në kamera të përparme.

Për kamerën kryesore, pritet të ruhet sensori 50MP, ashtu si në modelet e mëparshme. Nëse konfigurimi i kamerave mbetet i pandryshuar, atëherë mund të presim gjithashtu një kamerë ultra-wide 12MP dhe një telefoto 8MP.