Prej disa muajsh Qualcomm ka punuar për të prezantuar një shërbim të ngjashëm me komunikimin satelitor të iPhone 14 në Android.
“Snapdragon Satellite” do të jetë mënyra më e re e komunikimit satelitor për të gjithë smartphone-t Android. Ndryshe nga iPhone 14, kjo lidhje satelitore është e vërtetë, për të dyja palët, që do të bëjë të mundur një komunikim normal midis dy personave, dhe jo të përdoret vetëm në raste emergjente.
Qualcomm arriti të bëjë këtë zhvillim duke bashkëpunuar me Iridium Satellite, një rrjet 25 vjeçar i përbërë prej 66 satelitësh që fuqizon smartphone-t satelitor me antenat e jashtme tepër të mëdha, por nga ky moment do të mund të përdoret dhe nga smartphone-t që i kanë të instaluara antenat brenda tyre.
Iridium përdor valët 1-2 GHz të cilat shfrytëzohen dhe nga GPS, megjithatë Qualcomm tregon se do ketë nevojë për zhvillimin e hardware-ve të tjera për të mundësuar këtë komunikim. Deri më tani premtimet e bëra nga Qualcomm mbi performancën e këtij komunikimi kanë qenë më të mira në krahasim me shërbimin e ofruar nga Apple.
Zëvëndës presidenti i Menaxhimit të Produkteve në Qualcomm, Francesco Grilli tregon se përdoruesit do të jenë në gjendje të dërgojnë “SMS të plota në më pak se 10 sekonda, dhe zakonisht koha mesatare e nevojshme do të jetë 3 sekonda”. Kjo kohë është shumë më e shpejtë se ajo e Apple që kërkon 15 sekonda për dërgimin e një mesazhi pothuajse automatik dhe jo një SMS të plotë.
Të gjitha pajisjet që përdorin Snapdragon 8 Gen2 do të mund të aksesojnë komunikimin satelitor.