Bazuar në kodin e gjetur në iOS 17 RC, i cili u lëshua për zhvilluesit të martën, Apple ka zhvilluar një veçori të re që do t’i lejojë përdoruesit të limitojnë karikimin maksimal të baterisë për të ruajtur më mirë shëndetin e kësaj baterisë.
Pasi të jetë i disponueshëm, opsioni do të gjendet në menunë e Settings për baterinë. Kur funksioni nuk është aktiv, përdoruesit do të shohin një mesazh që thotë se iPhone “do të karikohet në kapacitetin e tij të plotë“. Por kur funksioni është i aktivizuar, ai do të informojë përdoruesin se bateria “do të karikohet vetëm në rreth X%” siç ju ta keni paracaktuar. Në Settings do të tregohet gjithashtu se kur iPhone është karikuar për herë të fundit në kufirin e vendosur nga përdoruesi.
Shërbimi funksionon në mënyrë të ngjashme me “Optimized Battery Charging””, i cili mëson rutinën e përditshme të përdoruesit në mënyrë që të përfundojë rikarikimin e baterisë pas 80% rreth kohës kur përdoruesi shkëput iPhone nga karikuesi. Opsioni i ri, megjithatë, gjithmonë do të kufizojë rimbushjen deri në një nivel të caktuar të baterisë.
Një veçori e ngjashme tashmë ekziston në disa telefona Android si Samsung Galaxy. Kjo për shkak se rikarikimi i një baterie litium-jon në 100% nuk është shumë i shëndetshëm për baterinë, duke e bërë atë të vjetërohet më shpejt. Duke vepruar kështu, përdoruesit mund të sakrifikojnë disa përqind gjatë ditës për të siguruar që bateria do të jetë më e shëndetshme për një kohë më të gjatë.