Pasagjerët në aeroplan shpesh nguten të çohen dhe të marrin çantat e tyre sapo avioni prek tokën, pavarësisht udhëzimeve për të qëndruar ulur deri sa avioni të parkohet. Për ta ndalur këtë sjellje, Turqia ka vendosur rregulla të reja që lejojnë gjobitjen e pasagjerëve që heqin rripin e sigurimit ose ngrihen para se avioni të ndalojë plotësisht në pistë. Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil në Turqi ndalon gjithashtu pirjen e produkteve të duhanit dhe qëndrimin në këmbë ndërsa avioni është ende në lëvizje.
Megjithëse shumat e gjobave nuk janë bërë publike, shkelësit do të raportohen përmes një formulari për pasagjerë problematikë. Sipas autoriteteve, kjo sjellje ka çuar në rritje të ankesave, me shumë pasagjerë që injorojnë udhëzimet e ekuipazhit dhe marrin çantat para kohe.

Qeveria ka sugjeruar dhënien e një njoftimi që u kujton pasagjerëve se është rreptësisht e ndaluar të ngrihen, të marrin çantat ose të qëndrojnë në korridor para se të ndalet avioni dhe të fiket sinjali i rripit, megjithatë kjo jo gjithmonë respektohet. Gjithashtu, kërkohet që pasagjerët të presin radhën e atyre para tyre për të zbritur.
Kjo nuk është një çështje vetëm në Turqi. Globalisht, rastet e pasagjerëve problematikë janë rritur. Në 2021, ndodhte një incident për çdo 835 fluturime, shpesh për shkak të mosbindjes, alkoolit ose abuzimit verbal. Në SHBA, ndonëse rastet ranë në 2023, u vendosën gjoba me vlerë $7.5 milionë.