Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë një propozim të ri që mund t’u kërkojë turistëve nga dhjetëra vende të deklarojnë historikun e tyre në rrjetet sociale për 5 vitet e fundit si kusht për hyrjen në vend. Masa do të prekë udhëtarët që aktualisht mund të vizitojnë SHBA-në deri në 90 ditë pa vizë, përmes plotësimit të formularit elektronik ESTA.
Propozimi është paraqitur nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) dhe agjencia Doganat dhe Mbrojtja Kufitare (CBP), dhe është publikuar në Regjistrin Federal. Dokumenti parashikon mbledhjen e të dhënave të rrjeteve sociale të pesë viteve të fundit, si dhe numrave të telefonit të përdorur gjatë pesë viteve dhe adresave të emailit për dhjetë vitet e fundit, si edhe më shumë informacion për anëtarët e familjes. Nuk jepen detaje të sakta mbi platformat apo përmbajtjen që do të kërkohet.

Administrata e presidentit Donald Trump e justifikon këtë hap me arsye sigurie kombëtare, duke iu referuar një urdhri ekzekutiv të janarit për mbrojtjen e SHBA nga kërcënimet terroriste dhe rreziqet për sigurinë publike. Trump ka deklaruar se nuk shqetësohet për një rënie të mundshme të turizmit, duke theksuar se prioriteti është siguria.
Megjithatë, analistë dhe organizata për të drejtat digjitale paralajmërojnë se masa mund të dëmtojë liritë civile dhe të sjellë vonesa në miratimin e ESTA-s. Kritika vijnë edhe në një kohë delikate, pasi SHBA pret një fluks të madh turistësh për Kupën e Botës 2026 dhe Lojërat Olimpike 2028.
Propozimi është aktualisht në fazë konsultimi publik për 60 ditë dhe nuk përbën ende një rregull përfundimtar.

