Prej shumë kohësh është diskutuar se si automatizimi do t’i kushtojë vendin e punës shumë punonjësve të ndryshëm, dhe tashmë studiuesit nga Ecole Polytechnique Federale de Lausanne ka zbuluar se cilët janë punët kryesore që në të ardhmen do të kryhen vetëm nga robotët.
Nga zbulimi i tyre shikohet se paketuesit, sanitarët dhe ndërtuesit janë më të rrezikuarit për t’u zëvëndësuar nga makineritë, ndërkohë që mësuesit, avokatët dhe mjekët janë të sigurtë për momentin.
“Sfida kryesore e shoqërisë në ditët e sotme është se si bëhemi elastikë ndaj automatizimit” shpjegoi Rafael Lalive, bashkë-autor i këtij studimi. ”Puna jonë ofron këshilla të detajuara karriere për punonjësit që përballen me rrezikun e lartë të automatizimit, të cilat i ndihmojnë ato të gjejnë punë të reja ndërkohë që shfrytëzojnë aftësitë nga puna e vjetër.”
Në këtë studim, ekipi kombinoi të dhënat shkencore dhe teknike të aftësive të robotëve me statistikat e punonjësve dhe pagesat e tyre në 1,000 vende pune të ndryshme.
Bazuar në këto zbulime, studiuesit kanë krijuar një mjet kërkimi që tregon se sa e rrezikuar është puna juaj nga automatizimi, dhe se si ju mund të përdorni aftësitë e fituara nga kjo punë në një pozicion tjetër.
Ndër vendet e punës më të rrezikuara janë dhe ndihmuesit e baristëve, pastruesit e makinave dhe përgatitësit e ushqimeve. Profesionet me rrezikun më të ulët nga automatizimi janë neurologët, matematikanët, biologët molekular dhe epidemiologët.