Mbi 111,000 merimanga janë zbuluar duke jetuar brenda një shpelle të errët në kufirin shqiptaro-grek, duke formuar atë që konsiderohet rrjeta më e madhe e merimangave në botë. Studimi, i botuar më 17 tetor në revistën Subterranean Biology, përshkruan një koloni të jashtëzakonshme që mbulon 106 metra katrorë përgjatë murit të një galerie të ngushtë në “Shpellën e Sulfurit”. Rrjeta është një mozaik mijëra strukturash në formë hinke, të ndërtuara nga dy specie të zakonshme merimangash: Tegenaria domestica dhe Prinerigone vagans.
Ky është rasti i parë i regjistruar i bashkëjetesës dhe bashkëpunimit mes këtyre dy specieve, që normalisht nuk krijojnë koloni të përbashkëta. Sipas autorit kryesor të studimit, profesorit István Urák nga Universiteti Sapientia në Rumani, zbulimi përfaqëson një sjellje të re koloniale dhe rrjetën më të madhe të njohur deri tani. Ai shprehet se ndjenja e parë gjatë zbulimit ishte “admirim dhe mirënjohje për mrekullitë e natyrës që ende nuk i njohim plotësisht.”

Gjatë vizitës së tyre në shpellë, Urák dhe kolegët e tij vlerësuan se kishte rreth 69,000 merimanga të T. domestica dhe më shumë se 42,000 të P. vagans. Analizat e ADN-së për hulumtimin e ri konfirmuan gjithashtu se këto janë speciet dominuese në koloni, tha Urák.

Kolonia ndodhet në një mjedis unik, të formuar nga acidi sulfurik që rezulton nga oksidimi i sulfideve të hidrogjenit në ujërat nëntokësore. Në këtë ekosistem, merimangat ushqehen me insekte të vogla të quajtura, të cilat jetojnë mbi biofilma mikrobikë të pasur me squfur. Analizat e ADN-së tregojnë se këto merimanga kanë zhvilluar ndryshime gjenetike dhe mikrobiologjike për t’u përshtatur me errësirën dhe dietën e tyre të veçantë.

