Mes avancimeve teknologjike, lojës më në zë apo sfidave më të fundit, herë pas here interneti arrin të sjellë materiale thjeshtësisht të bukura.
Në këto kohë kur na kërkohet të rrimë sa më shumë të rrimë brenda, jo të gjithë e kanë luksin e një ballkoni e aq më pak të një pamje frymëzuese apo qetësuese, aq shumë të nevojshme për shëndetin mendor të kujtdo. Sado popullore të duket, të kthesh kokën nga dritarja dhe të shohësh komshiun teksa lan tapetat, rregullon makinën apo luan tavull nuk është pamja më romantike e mundshme. Ndërsa trafiku i Zogut të Zi apo matrapikët e bashkisë nuk janë tamam tamam kolona zanore për tu shijuar.
Tek e fundit jo të gjithë e kemi nga një shtëpi në Gji të Lalzit.
WindowSwap është një platformë me një ide vërtetë interesante, e cila të lejon të shijosh pamje piktoreske nga dritare e ballkone të ndryshme të globit.
Rrugë me shi në Tailandë, një fushë e qetë në Austri, malet e Zvicrës, pamje nga oqeani në Japoni, apo qiellgërvishtësit e Singaportit.
Janë këto disa nga videot e dërguara nga përdorues që zgjedhin t’i shërbejnë komunitetit edhe kështu.
Zgjidhja për video të regjistruara në vend të transmetimit live, shmang surpriza të pakëndshme dhe kontrollon më mirë kontentin, sepse jo të gjithë kanë qëllime kaq paqësore.
WindowSwap kërkon një video 10 minutëshe HD të dritares tënde, së bashku me emrin e përdoruesit dhe vendndodhjen.
Nëse njëra pamje nuk të bind vazhdo ndryshoje derisa të gjesh alternativën e duhur për një seancë meditimi sa më të arrirë.
Ose nëse mendon që pamja e dritares tënde është aq e bukur sa për tu ndarë me botën, bëj submit videon tënde.
BE-ja nuk na lë të udhëtojmë por interneti nuk njeh pashaporta.