Ndalimi i telefonave në shkollat publike të Nju Jorkut ka zbuluar një problem të papritur, shumë nxënës të shkollave të mesme kanë vështirësi të lexojnë orët analoge. Sipas mësuesve dhe administratorëve, mungesa e telefonave ka ndihmuar ndjeshëm përqendrimin në klasë, socializimin gjatë pushimeve dhe lëvizjen më të shpejtë në korridore. Megjithatë, një pasojë e çuditshme është se nxënësit shpesh nuk e dinë nëse janë në kohë për tu futur në mësim, sepse nuk arrijnë të kuptojnë orët e varura në mure.
Tiana Millen, zëvendësdrejtoreshë në një shkollë të mesme në Queens, tha se pyetja “Sa është ora?” është bërë shumë e zakonshme. E njëjta gjë konfirmohet edhe nga mësues të tjerë, të cilët thonë se nxënësit kërkojnë vazhdimisht informacion për minutat e mbetura të orës mësimore, duke treguar mungesë praktike në dallimin mes akrepit të madh dhe atij të vogël.

Departamenti i Arsimit në Nju Jork thekson se nxënësit mësojnë leximin e orës që në klasat e para fillore, përfshirë konceptet “fiks”, “gjysmë” dhe “çerek”. Megjithatë, shumë nxënës pranojnë se kjo aftësi është harruar nga mungesa e përdorimit, pasi për vite me radhë janë mbështetur te telefonat. Disa shtojnë se edhe vetë orët në shkolla shpesh janë të prishura ose të pasakta.
Ekspertët vërejnë se ky shqetësim nuk është i ri. Studime të mëparshme kanë treguar se vetëm një pjesë e vogël e fëmijëve zotërojnë mirë leximin e orës analoge, ndërsa vende si Anglia kanë kaluar prej kohësh në orë digjitale në klasa. Sipas specialistëve të zhvillimit të fëmijëve, pyetja kryesore nuk është nëse kjo përbën një “humbje njohëse”, por nëse është thjesht një zëvendësim i aftësive tradicionale me ato digjitale.

